Bashkësia Fetare Islame e RM duhet të ishte institucioni i të gjithë muslimanëve të vendit, çuditërisht, me aktivitetet e saja antikushtetuese, ajo po dëshmohet se nuk është më shumë se e një subjekti politik dhe në shërbim të disa figurave të caktuara politike!

Sigurisht që BFI ka nevojë për një reformë të thellë dhe për koncepte të reja. Reformat nuk duhet të ndodhin se ato po i kërkoj unë, shokët e mi ose dikush tjetër! Ato tanimë i duhen BFI-së për të mbijetuar. Për to kanë nevojë të gjitha organet, institucionet dhe shoqatat e BFI-së. Kanë nevojë të punësuarit e BFI-së, por edhe nxënësit e Medresesë dhe studentët e FSHI-së. Kanë nevojë besimtarët e vendit dhe më gjërë!

Nuk ka besimtar në vendin tonë që nuk dëshiron një BFI më profesionale, më transparente, më të fuqishme, më të pastër, më të pasur… A nuk jemi dëshmitarë se vet besimtarët janë më të zëshmit kundër keqpërdorimit të të mirave finansiare të institucionit, të dështimeve në organizimin e jetës fetare, në tubimin e zeqatit, fitrave si dhe në dështimin e organizimit të Haxhit etj?!

Besoj se tanimë shumica dërmuese e përgjegjësve të jetës fetare islame në Maqedoni, po e ndjejnë nevojën për të punuar në drejtim të daljes nga kriza në të cilën janë futur. Me plot sinqeritet i porosis të gjejnë mënyra për t’u rimëkëmbur! 

Unë besoj se BFI-në e pret një Epokë e Re!

Për më tepër kliko Linkun

BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET NJË EPOKË E RE