BFI-së pa tjetër i duhet të kalojë nëpër fazën e desulizmit, i cili nënkupton reforma të thella e të gjëra, duke eliminuar praktikat e deritanishme katastrofale në drejtimin e këtij Institucioni dhe duke synuar vënien e jetës fetare islame në binaret e shëndosha dhe të sigurta

 Shkruan Afrim Tahiri

 

Në BFI-në tashmë të ngulfatur nga makthi i panikut se çka do të bëhet në periudhën post Sulejman Rexhepi, çka do të ndodhë me bashkëpunëtorët e tij, me shërbyesit dhe shërbëtorët e tij besnik, se deri në ç’nivel do të shkojë “hakmarrja” e opozitës kur do ta marrin drejtimin e këtij Institucioni – thjesht, do të ndodhë vetëm desulizmi i BFI-së! Janë të shumtë nëpunësit fetar që po më bëjnë të ndihem në siklet sa herë që më marrin në telefon e më rrëfehen se janë të pafajshëm, se janë të shtrënguar të punojnë jasht normave dhe standardeve fetare islame sepse ndihen të kërcënuar me largim nga puna nëse bëhen “të padëgjueshëm”, dua t’ju them publikisht se nuk do të ndodhë asgjë me përjashtim të desulizmit të BFI-së.

Nuk ka hakmarrje, nuk do të ketë kurrfarë masash disiplinore, nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi apo intrige për t’i zbërthyer të gjitha veprimet dhe aktorët e destabilizimit si financiar ashtu edhe moral të BFI-së, porse, do të ketë vetëm desulizëm të këtij Institucioni!

Çka nënkupon fjala desulëzim? Thënë shkurt: eliminim të të gjitha praktikave antiislame, antihumane dhe antimorale të mbjella e të ushtruara nga uzurpatori i BFI-së Sulejman Rexhepi!

Nuk do të ketë më nepotizëm dhe, krijim të qerthullave ku gëlojnë veprimet e pandershme dhe të dëmshme dhe ku, si pasojë e nopotizmit, justifikohen të gjitha veprimet antiislame si “program vjetor” i zhvillimit të islamit në RMV!

Nuk do të ketë më praktikë të përfitimeve personale nga çdo aksion fetar; nuk do të ketë më as dhjetë dhe as njëzetë për qind fitim personal nga çdo aksion fetar islam që gjenerojnë financa.

Do të zhduket përgjithmonë praktika suliste që nëpër komisione për zhvillimin dhe kontrollimin e këtyre aksioneve fetare të vihen dhe të udhëhiqen nga pjesëtarët e familjes së “reisit”, apo edhe nga personat pa kurrfarë personaliteti e me dosje të kriminalizuar.

Nuk do të ketë më komisione të ngritur ekskluzivisht nga Sulejman Rexhepi, pa kurrfarë debati nëpër organet e BFI-së dhe pa kurrfarë propozimi nga baza. Nuk do të ketë më përfundim të këtyre aksioneve pa raporte të detajuar.  Nuk do të ketë komisione të cilët nuk do të përcillen nga trupat inspektuese që do të ngriten ad hoc për secilin aksion fetar, prej të cilëve krijohet buxheti i përgjithshëm i BFI-së në masë prej 80-90%!

Nuk do të ketë asnjë takim organesh të BFI-së ku do të arsyetohen të gjitha vjedhjet, të gjitha keqpërdorimet financiare, të gjitha dëmtimet e BFI-së si pasojë e sharlantantizmit  apo e sjelljeve nonshalante të cilitdo nëpunës fetar në BFI.

Do të shkulet në rrënjë praktika e deritanishme suliste e shantazhimit të imamëve, e montimit të aferave, e përhapjes së thashethemeve, vetëm e vetëm që të krijohet percepcioni se “shpëtimtar i këtyre të mjerëve është reisi”! Secili ka dinjitetin e vet, secili ka personalitetin e vet, secili ka aftësiitë e veta për të zhvilluuar dhe kultivuar parimet islame dhe, kjo gjë duhet të respektohet dhe të jetë e pacenueshme te secili imam e nëpunës fetar.

Nuk do të ketë më praktikë suliste që të keqes t’ia bëjë hizmetin duke mos e çrrënjosur që në fillim, vetëm e vetëm që ajo e keqe të trashet dhe me te pastaj të shantazhohet cilido drejtues i një instituconi në BFI.

Praktika e kërkimit të lojalitetit do të zëvendësohet me praktikat e kërkimit të punës dhe të sukseseve, të kërkimit të disiplinës në punë dhe secili nëpunës të shndërrohet në model i islamit dhe jo model i lojalistit ndaj eprorëve të vet!

Komisionet e kontrollimit financiar dhe të çështjeve juridike-islame do të jenë shpatë që do të rrijë pezull mbi qafën e secilit nëpunës fetar në BFI, sepse, prona dhe pasuria e BFI-së është e shenjtë, po aq sa vetë jeta islame në RMV.

Do të eliminohet që në start praktika e armiqësimit me të gjithë, praktika e izolimit prej të gjithëve, me qëllim të krijimit të percepcionit se këtu “unë jam gjithçka dhe i paprekshmi”!

Do të eliminohen praktikat e veprimit pa komisione, pa rregullore, praktika e mosdhënies llogari para organeve kolektive të BFI-së, të paktën një herë në muaj! Do të ngritet iniciativa dhe do të kërkohet pëlqimi i të gjithëve që, “organe të përjetshme” të mos ketë në BFI, porse që të gjitha të jen me mandat pesëvjeçar një plus një, të siguruar ekskluzivisht nga programi i punës dhe plani i veprimit që garanton suksese, përparim dhe respektin e mbarë shoqërisë!

Do të bëhet depolitizimi i BFI-së, përmes krijimit të shoqatave të ndryshme do të stimulohet mendimi ndryshe, mendimi alternativ në përputhje me të gjitha normat dhe parimet islame, do të krijohen mekanizma që do ta garantojnë dhe avansojnë statusin e imamit, duke ia rikthyer atë autoritet të dikurshëm në shoqëri.

Këto masa në fakt duhet të kuptohen si reforma dhe jo si frikë se do të “eliminohen njerëzit e Sulejman Rexhepit”, sepse, fundja, Sulejman Rexhepi nuk ka asnjë njeri pas vetes, që të gjithë i ka të shantazhuar, që të gjithë ndjehen të kërcënuar jasht perimetrave të qejfeve të Sulejman Rexhepit.

Këto reforma, në fakt, do të duhet të kuptohen si proces i desulizmit të BFI-së, proces ky i vetmi garantues për shpëtimin e këtij Institucioni dhe për rikthmin e jetës fetare islame në binaret e shëndosha.

Sulejman Rexhepi duhet të mbetet i fundit reis i cili, jo vetëm që ka qenë me njolla të llojllojshme etike, jo vetëm që ka qenë model shumë i keq i reisllëkut, jo vetëm që ka qenë shkaktar dhe shkaktues i aferave të ndryshme, por do të jetë edhe i fundit reis që do të tërhiqet zvarrë nëpër organet e drejtësisë për të provuar pafajësi! Reisi i ardhshëm do të jetë, siç kanë qenë të parët tanë, simbol i devotshmërisë së myslimanëve të vendit tonë, simbol i unitetit dhe kurban i mbarëvatjtjes dhe zhvillimit të islamit në RMV.

 

 

Advertisements