Mesazh për Muajin Ramazan, 2019

“Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj”! Por atyre do t’u thuhet: “Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!” Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka denim” (El Hadid, 13)

Të dashur besimtarë! Nesër fillojmë me agjërimin e Muajit Ramazan! Ky muaj është, pa dyshim, muaji më i bekuar, muaj i shtimit të ibadeteve, lutjeve, bamirësisë. Në Muajin Ramazan nisi zbritja e Kuranit, nisi ndriçimi i mendjes dhe fisnikërimi i shpirtit, nisi ndriçimi i perspektivës për mbarë njerëzimin – mori udhë Feja Islame!

Në muajin Ramazan kanë ndodhur ngjarje dhe prova që Krijuesi ynë na do, na shikon, na dëgjon, prandaj dhe, myslimanët anekënd botës e shfrytëzojnë këtë Muaj për ta ndjerë veten sa më pranë Krijuesit, përmes falënderimeve dhe ibadeteve për ta madhëruar dhe lartësuar, përmes lutjeve dhe agjërimit për ta stërvitur diciplinënën shpirtërore dhe për ta forcuar sa më shumë devotshmërinë islame. Për të mirat që na i dhuroi Krijuesi ynë, nga ne kërkon që të jemi të mirë, të urtë, të dashur e të paqtë.

Natyrisht, gjatë këtij Muaji aktivizohen edhe mynafikët të cilëve iu pengon atmosfera e këtij Muaji të Bekuar, iu pengon gatishmëria e myslimanëve për të reflektuar sa më thellë, iu pengon përkushtimi i tyre për t’i kryer të gjitha ibadetet dhe lutjet që përfshihen në kuadër të këtij Muaji. Këta mynafikë janë po ata që kanë vepruar përgjatë tërë vitit dhe vazhdojnë edhe gjatë Ramazanit me aktivitete të dyshimta, me sjellje joislame dhe me veprime të diskutueshme. Pa dyshim që, ata mendojnë se po e mashtrojnë Allahun Fuqiplotë, duke mos kuptuar se në fund vetë ata dalin të mashtruar.

Besimtarë të dashur, ju ftoj që, përgjatë tërë Ramazanit, ibadetet dhe veprimet e tjera përcjellëse t’ia dedikojmë vetëm Allahut të Madhërishëm dhe, natë e ditë t’i lutemi që, për hirë të këtyre ibadeteve, të na shpëtojë sa më shumë nga djallëzitë e myniafikëve, të na ndjejë dhe të na shpëtojë nga këta krijesa që më së paku kanë respekt ndaj këtij Muaji dhe ndaj vetë Allahut Fuqiplotë. Ta lusim Krijuesin tonë që të na shpëtojë nga këta krijesa të xhindosura dhe, Ramazanin e ardhshëm ta presim në një atmosferë të denjë vetëm për myslimanët e devotshëm, të çliruar nga të babziturit dhe babzitë e tyre, të cilët, në fakt janë njollë më e pështirë në petkun e islamit. Nuk na e fal Krijuesi ynë nëse të gjithë nuk përfshihemi në largimin e kësaj njolle. Bashkarisht, nën freskinë e agjërimit, t’i lutemi Zotit për mirësi e mbarësi, për shpëtim e shpërblim, për paqe e perspektivë të shëndritshme.

Zoti na e pranoftë agjërimin e sivjemë si dhe të gjitha ibadetet e tjera.

Agjërim të lehtë e të mbarë!

Paçim bekimin e Krijuesit tonë!