“Unë po shkoj aty, ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon!” (Es-Saffat, 99)

Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!

Sot jemi në ditën e parë të vitit të ri sipas kalendarit hixhri. Para 1441 vite, ndodhi një nga ngjarjet sa tragjike aq edhe madhështore, sa e dhembshme aq më shumë ngjarje që do të shndërrohet në bazament të krenarisë së kuptimtë, sa e trishtueshme aq edhe triumfuese!

Duhej të ndodhte kjo ngjarje, sepse Allahu Fuqiplotë kishte dhënë urdhër që të brumoset një ideal i ri, plotë shpresë, plotë dritë, plotë mbarësi e shpëtim për të gjithë ata që do ta përqafojnë. Ky projekt i shenjtë nuk do të mund të ngjizej në Meken e atëhershme, prandaj u dha urdhëri për Hixhret në Medinen e Ndritshme. Më i dashuri i Zotit, Muhamedi a.s. do të thoshte: “Meke, kurrë nuk do të largohesha prej teje nëse nuk do të detyrohesha”! Nuk iku se iu dhimbs jeta, as se u frikësua, por as se e ndjeu peshën e dëbimit apo të kërcënimit, nuk iku se u shantazhua apo se po vdiste për bukën e gojës! Pejgamberi ynë, bashkë me shokë, u detyrua në hixhret, sepse i duhej një vend më i qetë, ku do të hidheshin bazat e një besimi të ri, bazat e një rendi të ri shoqëror, bazat e një shteti, të një ushtrie, të një administrate të re, një vend ku do të tërhiqej qartë kufiri në mes të keqes dhe të mirës, në mes të shëmtuarës dhe të bukurës, në mes të haramit dhe hallallit! Ky ishte një mision i shenjtë, i cili detyrimisht që duhej të kryhej, dhe jo një sfilitje tradhëtuese për të shpëtuar jetën.

Myslimanit të devotshëm përjetë i duhet një çast për të migruar, qoftë edhe për një sekond, me qëllim për ta përkujtuar të mirën dhe të keqen, hallallin dhe haramin! Pas Hixhretit të Pejgamberit a.s. nuk ka më hixhret, sepse nuk ka më mison të natyrës siç e pati Muhamedi a.s.  Porse hixhreti shpirtëror ngel detyrim i përjetshëm për çdo mysliman. Ikja prej një komuniteti të prishur, ikja prej një shoqërie të degjeneruar, ikja prej një “udhëheqësie” tradhëtare, ikja prej një “guzhine” ku zihen e vlojnë tradhëtitë, planet ogurzeze, projektet antishqiptare e antiislame, është “hixhret” i detyrueshëm, i obligueshëm edhe fetarisht edhe kombëtarisht, sepse misioni ynë i sotëm është që ta ruajmë pastërtinë e islamit të shenjtë si dhe traditat e mirëfillta kombëtare. Nuk është as islam dhe as traditë kombëtare të qëndruarit dhe solidarizimi me tradhëtarët, kriminelët, zhvatësit e pronës së përgjithshme, hajnat e vakëfit, të cilët, për momentin, duke e gëzuar përkrahjen dhe mbrojtjen institucionale të sistemit, mund të duken si joshës! Por, nuk duhet të harrojmë se, joshja pas këtyre të babziturve është katandisje fizike e shpirtërore dhe, me këtë, edhe njollosje e vlerave të islamit dhe të kombit, kurse ikja prej tyre, prej vendit ku veprojnë kriminelët e ndryshëm, madje edhe nën petkun islam, është një hixhret i cili ka për qëllim ruajtjen e bërthamës së pastër, e cila garanton vazhdimësinë e kultivimit të vlerave të mirëfillta shpirtërore, kombëtare e njerëzore.

Veç kësaj, askush nuk ka të drejtë që t’i qortojë dhe t’i ofendojë mërgimtarët tanë që me dhembje e pa shpresa ikin nga vendlindja e tyre. Ata kanë nevojë për një jetë më të lumtur, për ta jetuar me plotë dinjitet. Ata ikin nga keqpërdorimi i tyre, nga manipulimi i tyre, ikin nga njerëzit që e kanë gojën plotë islam e komb ndërsa janë aq të pështirë sa bashkëjetesa me të tillët është e padurueshme, në kufijtë e haramit. Ata nuk po ikin dhe nuk po bëjnë mëkat me këtë ikje, ngase nuk kanë mision, ata kanë nevojë për dinjitet, për jetë të paqtë dhe të sigurtë, të cilën nuk ua garanton asnjë nga ata me gojën plot islam e komb në vendlindjen e tyre! Mërgimtarët tanë janë shembull i njerëzve të mirë. Punojnë duke kontribuar për familje, fe e komb. Ata mbajnë familjen e tyre, ata kur e do nevoja kombëtare të gjithë, një për një, janë në këmbë dhe, janë model i zhvillimit të fesë islame. Ata, derisa në vendlindjen e tyre po ju vidhen xhamitë, po u vidhet vakëfi, po drejtohen nga haramët, në mërgim ata po ndërtojnë xhamia, po shtojnë vakëfin, po i edukojnë fëmijët në islam, duke i mbajtur sa më larg pseudomyslimanëve të këtushem dhe, po i kryejnë të gjitha obligimet fetare. Ata, me sjelljen e tyre kanë mision njerëzor për ta pasqyruar islamin e pastër dhe për të qenë model i shkëlqyeshëm i myslimanit të devotshëm. Pse a nuk është të jetuarit dhe të vepruarit sipas porosive islame një davet, a? Pa dyshim që po!

Ikja nga harami dhe kthimi kah hallali është hixhret; ikja prej grupeve të rrezikshme dhe kthimi kah xhematet e ndershëm është hixhret; ikja nga vendi dhe nga institucioni ku mund ta ndihmoshë haramin, vjedhjen e vakëfit, në një vend prej nga sulmohen pa pushuar këto dukuri antiislame, është hixhret. Ikja prej rrethit injorantësh dhe vrapimi pas njohurive që ta ndriçojnë mendjen është hixhret.

Motra e vëllezër, lutem me shpirt që në këtë kuptim përjetë të jemi në hixhret!

Ky vit i hixhrit, për myslimanët e vendit dhe të mbarë botës, për anëtarët e Lëvizjes për Reforma në BFI të RMV-së qoftë një vit i mbarë dhe i hajrit.

Përjetë e gëzofshin dhe e përkujtofshim me vepra të hajrit, me lutje e ibadete, këtë ngjarje e cila në historinë e përbotshme shënon një kthesë madhështore për mbarë njerëzimin.

Advertisements