Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, këto ditë publikoi analizën mbi ndikimet e liderëve të ndryshëm fetar në Ballkan. Pjesa e analizës që flet për Sulejman Rexhepin ishte më e rënda, sepse flet për ndikimet shumë negative të tij të cilin e trajtojnë si të kontestueshëm dhe kontravers. Kjo pjesë e analizës, në mes rreshtash sikur flet për një person i cili kēto vite në krye të Institucionit ka qëndruar fale përkrahjes institucionale shtetërore përkundër provokimeve të tij që shpesh janë vlerësuar edhe vepra penale. Për më tepër, lexoni se ç’shkruan BIRN për Sulejman Rexhepin, uzurpatorin e BFI-së!/a.t./

Lexoni pjesën e analizës që flet për liderin e kontestuar të BFI-së:

Edhe pse komuniteti më i madh fetar në Maqedoninë e Veriut është Kisha Ortodokse Maqedonase, është lideri i komunitetit të dytë më të madh fetar në vend, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, ai që tërheq vëmendjen më të madhe.

I flaktë, politikisht i hapur dhe shpesh kontrovers, Sulejman Rexhepi ka drejtuar Bashkësinë që kur vendi u nda në mënyrë paqësore nga Jugosllavia federale në fillim të viteve 1990.

Pushteti i tij i ka mbijetuar akuzave të shpeshta nga kundërshtarët e tij se ai e drejton bashkësinë myslimane me grusht të hekurt dhe i motivuar nga përfitimet e tij personale. Rexhepi i ka hedhur poshtë pretendimet kundër tij.

Në maj 2015, dhjetëra kundërshtarë të tij mbajtën Bashkësinë Fetare Islame për 13 ditë, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Një urdhër gjykate i detyroi ata të dilnin jashtë.

Një vit më pas, në një intervistë për BIRN, Rexhepi e quajti kryeministrin e atëhershëm Nikola Gruevski një “diktator të pa precedent” dhe e akuzoi atë se po përpiqej të nxiste tensione fetare dhe etnike për të konsoliduar kontrollin e tij të pushtetit.

Shumë vëzhgues thonë se kritika e hapur e Rexhepit ndaj Gruevskit luajti një rol të rëndësishëm në inkurajimin e shqiptarëve etnikë në vend për t’u bashkuar kundër qeverisë së tij. Në zgjedhjet pasuese në fund të vitit 2016, disa shqiptarë ndërmorën hapin e paparë për t’ia dhënë votat e tyre social demokratëve në atë kohë në opozitë, sesa t’ia jepnin ato partive që përfaqësonin pakicën shqiptare.

Por lidhja e dashurisë e Rexehpit me Social Demokratët që morën pushtetin nuk zgjati shumë. Në prill 2018, pas një përpjekje tjetër të një grupi imamësh për ta larguar atë, Rexhepi tha se ai përsëri dyshonte në dorën e qeverisë në këtë çështje.

“Ne nuk jemi më në marrëdhënie të mira me këtë qeveri”, deklaroi Rexhepi në atë kohë. Ai kërcënoi se do t’u thoshte ndjekësve të tij nëpër 700 xhami që të bojkotonin zgjedhjet presidenciale të vendit të vitit 2019 në protestë ndaj asaj që ai tha se ishte ndërhyrje e shtetit në çështjet fetare.

Në vitin 2012, Rexhepi bëri thirrje që shqiptarët etnikë të bashkohen në një shtet; në vitin 2014, dolën foto ku ai shfaqej i veshur si sulltan osman me shpatë në duar. Ndërsa ai vet postoi një foto në rrjetet sociale të nipit të tij i cili mbante në dorë një pistoletë. Në vitin 2018, duke u duartrokitur nga përkrahësit e tij, ai i dëshiroi vdekje të shpejtë një gjyqtareje që kishte marrë një vendim kundër Bashkësisë Fetare Islame. “Kam marrë vesh se aktualisht ajo ka probleme shëndetësore”, tha ai.

BIRN