“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre, në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim, deri në mëngjes.” (Kaptina El Kadr)

Zoti Mëshirëplotë na tregon se është një natë e bekuar që vlenë më shumë se një jetë! Është Natë e zgjedhur prej Vetë të Madhit Zot. Jo rastësisht vendosi që, pikërisht, në atë Natë, të nisë shpalljen e dritës, të së vërtetës, të drejtësisë, të lumturisë: “Lexo me emrin e Zotit që të krijoi…” (El Alak:1)
Pikërisht në Natën e Kadrit njerëzimit iu kumtua ky urdhër i përkushtimit pas dritës së vërtetë që e ndriçon shpirtin dhe lartëson dijen. Emri i kësaj Nate ka kupimin e forcës, sundimit, vendimit, të nderit, të vlerës; pra, në këtë natë adhuruesve të fesë islame iu bë e qartë se forcërisht duhet ta luftojnë të keqen, gjithnjë duhet të jenë të orientuar dhe të angazhuar që të sundojë vetëm e mira, e drejta, e moralshmja, të jetohet ndershëm, të nderohen dhe të nderojnë, të arrijnë shkallën e vlerës më të çmuar të njerëzimit. Këto janë ndër elementet kryesore që raportohen dhe vihen në kantar për çdo vit në këtë Natë dhe, deri në agim, myslimanët janë fare pranë Zotit, paqtë luten, nën freskinë e engjëjve të mëshirës, mirësisë dhe bereqetit.
Është një gjendje solemne e papërshkrueshme e shpirtit të çdo myslimani që e përkujton këtë Natë më të Bukur nga të gjithë netët e tjera. Kur është kjo Natë? Aty diku, brenda dhjetë netëve të fundit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit! Nuk ka gja më madhështore se ta përfundoshë Muajin e agjërimit në këtë gjendje të mrekullueshme shpirtërore, çdo natë, në dhjetë netët e fundit, deri në mëngjes, në Paqe me Krijuesin tënd, shumë pranë Tij, duke u lutur, e duke kryer ibadete, duke u përulur e duke iu përkushtuar vetëm Allahut Mëshirëplotë.
Një jetë, pa begatitë e kësaj Nate, do të ishte e kotë! Një jetë që nuk kalohet pa respektimin e urtësive që dalin nga kjo Natë, është jetë jasht normales. Në këtë jetë nuk ia vlenë të shpenzohet asnjë sekond jashtë normave të përcaktuara në këtë Natë të bekuar. Në këtë Natë Krijuesi ynë shpalli modelin e Njeriut për mbarë njerëzimin e shëndetshëm, shpalli Vulën e Pejgamberisë; në këtë Natë u hodh gurthemeli i moralit të shëndoshë, i njerëzimit të mbarë, u mboll Pema e vlerave që i japin kuptim jetës.
Prandaj kjo Natë duhet të kalohet në lutje e në ibadete, në falënderime e në pendime në ëmër të Krijuesit tonë. Të pendohemi për gabimet tona të qëllimshme e të paqëllimshme, ta falënderjmë që na bëri pjesë të ummetit të Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s., mirësinë tonë ta përcjellim si peshqesh për familjen, shokët dhe pasuesit e Pejgamberit tonë, të lutemi për më shumë shëndet, paqe e mirëqenie, për më shumë dashuri e mirësi, për mëshirë e bereqet; të lutemi për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për fqinjët tanë, për kombin tonë dhe për mbarë njerëzimin.
Nga lutjet tona, në këtë Natë të bekuar, mos të mungojë as lutja për shpëtimin e Institucionit tonë fetar, nga kthetrat grabitqare e shkatërruese. Bashkësia Fetare Islame si kurrë më parë në historikun e vet gjendet në një pozitë aspak të lakmueshme për myslimanët e vendit, Bashkësia Fetare Islame për momentin është e pushtuar nga individë të xhindosur, të cilët këtij Institucioni ia kanë shtuar namin e së keqes, kanë bërë që kjo shtëpi e komunitetit tonë mysliman të jet si asnjëherë më e përfolura, të jetë shembull i turpit, kazan i mëkateve.
Lutuni sonte në Natën e Kadrit, një lutje edhe për shpëtim të këtj Institucioni. Kurani i Madhërishëm na tregon se: “Me lejen e Zotit të tyre, në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.” (El-Kadr:4)

Për myslimanët tanë çështje jashtëzakonisht e rëndësishme është edhe Institucioni ynë Bashkësia Fetare Islame.
Nën inercionin dhe rëndësinë e lutjeve të kësaj Nate, inshalla e kalojmë tërë jetën tonë.

Motra e vëllezër myslimanë, ju qoftë për hajër Nata e Kadrit dhe, paçi bekimin e Zotit./a.t./